Histori suksesi: Avokati sfidon gjobën e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit (AKU) në Gjykatën Administrative
Një biznes i vogël familjar në Korçë me aktivitet artizanal për përpunimin e qumështit (“Baxho”) u përball me një gjobë prej 300,000 lekësh nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) pas një inspektimi të papritur. Trupa inspektuese pretendoi mungesë ventilimi, prani lagështie dhe ndryshku, si dhe mungesë dokumentacioni për lëndët e para.
Pronari i baxhos i mohoi akuzat, duke sqaruar se:
- “Myku” i pretenduar ishte tym nga drutë e zjarrit, pjesë e procesit natyral të stazhionimit të djathit;
- Lagështia nuk ishte matur me asnjë pajisje shkencore nga inspektorët;
- Lënda e parë furnizohej nga fermerë lokalë me marrëveshje dhe dokumentacion përkatës, jo me qumësht pluhur siç ishte paragjykuar.
Pas konsultimit me avokatin Kastriot Frashëri, u konstatuan shkelje serioze proceduriale dhe materiale nga AKU:
- Inspektimi ishte i papritur dhe i pa justifikuar si “emergjencë”, në kundërshtim me ligjin;
- Procesverbali ishte i paplotë dhe i paqartë, pa udhëzime konkrete për përmirësime;
- Pajisjet artizanale nuk kërkonin regjistër mirëmbajtjeje sipas listës së verifikimit të AKU-së;
- Vendosja e garderobës lidhej me kufizimet e hapësirës dhe jo me shkelje standardesh.
Gjithashtu, AKU kishte marrë një mostër për analizë, por edhe pas një muaji nuk u dha asnjë përgjigje zyrtare mbi cilësinë e produktit, duke vënë në dyshim transparencën dhe qëllimin e inspektimit.
Avokati përgatiti një padi të plotë administrative, duke kërkuar:
- Shfuqizimin e të gjithë dokumentacionit dhe akteve të nxjerra nga AKU dhe MBZHR, përfshirë procesverbalin, vendimet për masën administrative dhe faturën e gjobës;
- Vendosjen e shpenzimeve gjyqësore në ngarkim të palës së paditur.
Gjykata e Apelit Administrative në Tiranë, pas shqyrtimit të çështjes, vendosi:
- Pranimin e padisë;
- Shfuqizimin e vendimeve dhe akteve të nxjerra nga AKU dhe ministria përkatëse;
- Anulimin përfundimtar të gjobës prej 300,000 lekësh.
Vendimi është i formës së prerë dhe i paankimueshëm.
Kjo çështje dëshmon se edhe bizneset e vogla, kur përfaqësohen në mënyrë profesionale, mund të fitojnë ndaj institucioneve shtetërore që veprojnë jashtë kornizës ligjore. Respektimi i procedurës dhe mbrojtja e të drejtave të bizneseve janë shtylla themelore të shtetit të së drejtës.
