Gjatë periudhës 24.02.2025-24.05.2025 Enora, një shtetase franceze, studente e Universite de Bretagne Occidentale, France, ishte pjesë e ekipit tonë në rolin e praktikantes për kryerjen e stazhit të praktikës mësimore në të Drejtën Ndërkombëtare në Marrëdhëniet e Punës. Gjatë kryerjes së praktikës mësimore pranë Frashëri Law Firm, ajo ka demonstruar nivel të lartë përkushtimi, profesionalizmi, korrektësie dhe integriteti. Ajo u bë një shembull i mirë edhe për kolegët e saj shqiptarë. Gjatë gjithë periudhës së stazhit ajo ka asistuar në hartimin e dokumenteve ligjore, përgatitjen e kërkesave administrative dhe analizimin e çështjeve gjyqësore në fushën e marrëdhënieve të punës, por edhe në praktika të ndryshme të së drejtës dhe emigracionit. Nën mbikëqyrjen e avokatëve të studios, veçanërisht të nderuarit Kastriot Frashëri, kreu i firmës sonë, Enora ka fituar njohuri të rëndësishme mbi procedurat ligjore dhe zbatimin praktik të normave juridike në marrëdhëniet e punës dhe fusha të tjera ekspertize.
Ajo është dalluar për aftësitë analitike, qasjen korrekte profesionale dhe respektimin e standardeve etike në ushtrimin e detyrave të saj. Përvoja e fituar gjatë kësaj periudhe ka kontribuar ndjeshëm në zhvillimin e saj profesional dhe në përgatitjen për një karrierë të suksesshme në fushën e drejtësisë.
Ne e vlerësojmë kontributin e saj dhe e konsiderojmë një pjesë të rëndësishme të komunitetit të praktikantëve që kanë kaluar nga zyra jonë. Ajo ishte pjesë e studentëve me profil në studime të drejtësisë ndërkombëtare.
Sot ajo po ndjek studimet e thelluara në Universitetin e Nantes në Të Drejtën e Punësimit dhe Të Shëndetësisë. Një kapitull i ri të cilit po i afrohet me entuziazëm dhe vendosmëri, në përputhje me angazhimin e saj ndaj të drejtës sociale dhe dimensionit të saj ndërkombëtar.
Ajo flet për eksperiencën e saj në Frashëri Law Firm:
“Praktika në Frashëri Law Firm më mundësoi të zbuloj mënyrën se si funksionon e drejta shqiptare e punës, por edhe të eksploroj fusha të reja si e drejta e imigracionit dhe e drejta e pronësisë. Dëshiroj të falënderoj përzemërsisht Kastriot Frashërin për besimin dhe mbështetjen e tij gjatë gjithë kësaj eksperience formuese, e cila më lejoi të forcoj shkathtësitë e mia ligjore dhe të zhvilloj një vizion krahasues të së drejtës”.
Opinioni i avokat Kastriot Frashëri rreth studentes Enora Le Lan:
“Jam vërtet i lumtur për arritjet e saj, jo vetëm sepse tani ajo është pjesë e nderuar e rrjetit të Alumni të Frashëri Law Firm, por edhe sepse ky formim ishte me vlerë të madhe për të, sepse u pasurua nga një përvojë profesionale ndërkombëtare tremujore në Shqipëri. Kjo përvojë i mundësoi të zbulojë më nga afër mënyrën se si funksionon e drejta e punës në Shqipëri, por edhe të eksploronte fusha të reja të praktikës, si e drejta e imigracionit dhe e drejta e pronësisë. Pikërisht për këtë arsye diploma e saj e bujshme dhe e dyfishtë me plot kuptim shkëlqen edhe më tepër – një sfidë që tani do të vazhdojë në Universitetin e Nantes, në programin e thelluar Master në të Drejtën Sociale – Shëndetësi. Sigurisht, ky është një kapitull i ri në jetën saj, por duke njohur vendosmërinë, përkushtimin dhe, mbi të gjitha, dëshirën e saj për të thelluar njohuritë dhe entuziazmin për punën, jam i bindur se ajo meriton të zërë nesër një vend nderi në sfondin e artë të drejtësisë franceze”.
Ajo vazhdon të zhvillohet profesionalisht dhe mbetet pjesë e nderuar e rrjetit Alumni të ish-studentëve dhe praktikantëve të firmës sonë, duke qenë gjithmonë një shembull i frymëzimit, suksesit dhe bashkëpunimit të frytshëm dhe reputacionit ndërkombëtar të Frashëri Law Firm në zhvillimin e praktikave ndërkombëtare.
