Histori Suksesi – Dhunë fizike, Urdhër i Menjëhershëm Mbrojtjeje dhe Zgjidhje Martese në Rrethana të Ndërlikuara Familjare
A.Ç prej vitesh përballej me një marrëdhënie martësore të trazuar, të shoqëruar me konflikte të shpeshta, presion psikologjik dhe tensione të vazhdueshme mes familjeve respektive. Pavarësisht përpjekjeve të tij për të ruajtur stabilitetin familjar dhe për të përmbushur detyrimet bashkëshortore, situata u përkeqësua deri në pikën që bashkëjetesa u bë praktikisht e pamundur.
Pika kulmore e konfliktit ndodhi kur një familjar i bashkëshortes, konkretisht vëllai i saj, si dhe vetë bashkëshortja, ushtruan dhunë fizike ndaj paditësit në ambientin e shtëpisë së prindërve të tij. Gjatë përcjelljes së kunatit, paditësi u godit pabesisht me grusht në oborrin e banesës së tij.
Ndërhyrja e menjëhershme ligjore e ekipit tonë rezultoi vendimtare për parandalimin e përshkallëzimit të mëtejshëm të konfliktit.
- Gjykata e Tiranës rrëzoi kërkesë-paditë ndaj klientit tonë, duke mos lëshuar Urdhrin e Menjëhershëm të Mbrojtjes ndaj tij;
- Pas rreth një muaji, në përputhje me procedurat ligjore, gjykata bëri verifikimin e Urdhrit të Mbrojtjes dhe vendosi pushimin e gjykimit për çështjen nr. xxxx Akti;
- Gjykata e Tiranës pranoi kërkesë-paditë e prindërve të klientit tonë, R.Ç dhe D.Ç, duke lëshuar Urdhrin e Menjëhershëm të Mbrojtjes në favor të tyre;
- Vendimi u ankimua në mënyrë të paligjshme nga pala e paditur, Antoneta Ç, në Gjykatën e Apelit Tiranë;
- Ekipi ynë ligjor kundërshtoi ankimin, duke argumentuar se Urdhri i Menjëhershëm i Mbrojtjes përbën titull ekzekutiv dhe nuk mund të ankimohet, sipas nenit 19, pika 6 të ligjit nr. 9669, datë 18.12.2006;
- Gjykata e Apelit Tiranë vendosi mospranimin e ankimit dhe la në fuqi vendimin e Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë.
Vendimi për Urdhrin e Menjëhershëm të Mbrojtjes u ekzekutua menjëherë nga organet e Policisë së Shtetit, në bashkëpunim me shërbimin përmbarimor dhe strukturat e shërbimeve sociale përkatëse.
Në vijim të kësaj procedure, firma jonë përgatiti dhe depozitoi me sukses padinë për zgjidhje martese, duke argumentuar se marrëdhënia bashkëshortore ishte prishur në mënyrë të pakthyeshme dhe se jetesa e përbashkët kishte humbur funksionin e saj.
Duke u mbështetur në nenin 132 të Kodit të Familjes, gjykata pranoi kërkesë-paditë dhe vendosi:
- Zgjidhjen e martesës;
- Rregullimin e përgjegjësisë prindërore dhe të kujdestarisë së fëmijës së mitur.
Falë përfaqësimit profesional dhe ndërhyrjes strategjike në çdo fazë të procesit, klienti ynë arriti të sigurojë mbrojtjen e tij ligjore, qetësinë familjare dhe një stabilitet të ri jetësor.
Kjo çështje përfaqëson një shembull domethënës të rolit vendimtar të avokatit në mbrojtjen e të drejtave themelore të individit, veçanërisht në situata të ndjeshme familjare dhe penale.
