Histori Suksesi – Mbrojtja e të Drejtave të Punonjëses ndaj Pushimit të Padrejtë nga Puna
Klientja me inicialet M.M ishte punonjëse në pozicionin e lartë të administratores së një kompanie të madhe në Shqipëri. Çështja merrte një dimension edhe më të ndjeshëm për shkak të marrëdhënieve të afërta familjare me pronaren e kompanisë, pasi ajo ishte motra e bashkëshortit të saj.
Në këto rrethana, ajo kishte punuar me përkushtim për 17 vjet, duke dhënë një kontribut të rëndësishëm në rritjen dhe zhvillimin e kompanisë, si dhe në rritjen e të ardhurave të saj. Për performancën profesionale kishte marrë vazhdimisht vlerësime pozitive.
Megjithatë, pa asnjë paralajmërim të mjaftueshëm dhe pa ndjekur procedurat ligjore të parashikuara për pushimin nga puna, kompania e njoftoi për largim të menjëhershëm pa shkak të justifikuar. Në momentin e pushimit nga puna, paditësja ndodhej në gjendje shëndetësore të sëmurë, e dokumentuar me raport për paaftësi të përkohshme, e cila sipas ligjit paguhet nga punëdhënësi.
- Pushim nga puna pa paralajmërim dhe pa afat kohor për mbrojtje;
- Mungesë shkaku ligjor dhe dokumentacioni të qartë që të justifikonte vendimin;
- Shkelje e të drejtave të punonjësit për shkak të mosrespektimit të Kodit të Punës.
Avokati i klientes, pas analizës së kontratës së punës dhe legjislacionit në fuqi, konstatoi shkeljet e mëposhtme:
- Mosrespektim i periudhës minimale të paralajmërimit për pushim nga puna;
- Mospagesë e plotë e pagave dhe përfitimeve deri në momentin e zgjidhjes së kontratës;
- Pushim i menjëhershëm pa arsye të justifikuara, në kundërshtim me nenin 155/3 të Kodit të Punës.
Në bazë të këtyre shkeljeve, avokati përgatiti padinë dhe kërkoi:
- Pranimin e kërkesës së padisë;
- Detyrimin e kompanisë për të paguar 12 paga mujore për pushim të padrejtë;
- Pagesën e 3 pagave mujore për mosrespektim të afatit të paralajmërimit;
- Dëmshpërblim prej 2 pagash mujore për shkelje të procedurës së zgjidhjes së kontratës;
- Pagesë prej 9 pagash mujore për shkak të vjetërsisë në punë;
- Kompensim për pushimet e pamarra për vitet 2020–2021;
- Ngarkimin e palës së paditur me shpenzimet gjyqësore.
Padia u mbështet me prova të plota, përfshirë kontratën e punës, raportet shëndetësore, dokumentacionin e pagave të papaguara dhe prova të tjera përkatëse.
Pas disa muajsh shqyrtimi, Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë vendosi:
- Pranimin e kërkesë-padisë;
- Detyrimin e palës së paditur për të paguar 12 muaj pagë për pushimin e menjëhershëm pa arsye të justifikuara;
- Pagesën e 2 muajve pagë për mosrespektim të procedurave të largimit nga puna;
- Pagesën e 4 muajve e 15 ditëve pune si shpërblim për vjetërsi;
- Përdorimin e pagës së fundit prej 114,670 lekësh në muaj si bazë për llogaritjen e dëmshpërblimit;
- Ngarkimin e palës së paditur me shpenzimet gjyqësore.
Ky vendim përfaqëson një fitore të rëndësishme për të drejtat e punonjësve në Shqipëri, duke vendosur një standard të qartë për respektimin e procedurave ligjore në pushimet nga puna.
Vendimi merr vlerë të veçantë edhe për faktin se në praktikën shqiptare rrallë ndodh që një administrator kompanie të ngrejë padi ndaj vendimit të Asamblesë së Ortakëve për largim nga puna pa asnjë motiv, pavarësisht marrëdhënieve familjare.
